clear

clear

fb twi you insta

Alcesti apo Filenti

Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

ALCESTI apo FILENTI

Nga Ilia Lëngu

 
[Gazeta "DRITA", 6 janar 1991]
 
Kur fjala kishte tjetër vlerë...
 
 
Kisha kohë që mendoja se monologu i brendshëm apo dhe dialogu me vetveten, sido që të nevojshëm e shenjë shëndeti intelektual, janë të pamjaftueshëm. Forca centripete është e mangët pa forcën centrifuge. Sepse nuk mjafton të kthjellosh vetëm mendjen tënde, ujin tënd. Dikur fshataret myzeqare hapnin gropa në anë të lumit për të mbushur ujë të pijshëm. Secila kullonte ujin e vet, mbushte shtambën e vet dhe e çonte, në majë të kokës, ta pinte në shtëpinë e vet. Tani uji na vjen me tubacion, dhe po qe i turbullt e i papastër, kulloje sa të duash ti për veten tënde, komshiut do t’i shkojë i turbulluar. Po kush e turbulloi ujin, se? Ujku apo qengji i La Fontenit? Dhe kush duhet ta gjejë nëse ka përmjerë qengji nga frika apo ujku tinzar e mizor mund të ketë përmjerë vet dhe kërkon sebep të shqyejë kafshëzën e pafajshme. Dhe kush do përgjigjet për burimin e ujit që na e “dogji” gjermani?
 Lexova këto ditë një shkrim të Rudolf Markut, botuar në gazetën “Drita”. Më pëlqeu shumë, më ngjalli mendime, mbase dhe u bë shkak që vendosa të këndoj dhe unë me zë të lartë që të më dëgjojnë të tjerët. Për mirë apo për keq, kjo është sipas “avazit” që ke zgjedhur dhe zërit që e këndon. Se këndon  bilbili po këndon dhe harabeli. Dhe harabela ka sa të duash. Pishat e sheshit qendror në Tiranë gumëzhijnë kur vjen mbrëmja apo dhe në mes të ditës kur bie shi.
 Po Alcesti me Filentin ç’hyjnë këtu? Hyjnë, si s’hyjnë? Se i ka krijuar pena e Molierit dhe Molieri, si Shekspiri, si Gëtja e sa e sa të tjerë, sfidoi me gjenialitetin e vet kohën dhe hapësirën. Vepra e tij fitoi përmasa kozmike, universale. Mesazhi i saj vazhdon t’i vlejë njerëzimit. Edhe pse historia asnjëherë nuk përsëritet me po të njëjtën mënyrë. Dhe pa harruar se analogjitë e sforcuara janë si uji i turbulluar. Por nuk është medoemos peshkatar i mirë ai që kap peshk në ujë të turbullt. Se kapet kollaj! Po unë kur do të dal në breg të lumit se mbeta në mes të ujit? Po dhe në breg s’jam i qetë, se dikur kam sharë keq “realizmin pa cak”, që disa e kanë quajtur dhe “realizëm pa brigje”. Sidoqoftë kthjelltësia, që është proces i pafund dhe i pandërprerë, është më e pëlqyeshme se kokëfortësia e verbër e inatçore.
 Molieri, në një kohë kur hipokriza ishtë përhapur tej mase në shoqërinë franceze të gjysmës së dytë të shekullit XVII, lëshoi verdiktin damkues : “Hipokrizia është bërë një ves në modë dhe si të gjithë veset që janë në modë, ai shndërrohet në virtyt”. Pastaj në komedinë e tij më të fuqishme, ndofta kryeveprën e tij, “Mizantropi” vuri ballë për ballë Alcestin me Filentin. A është e parëndësishme fare t’u kujtoj atyre që nuk e dinë se Molierit i pëlqente të luante vetë rolin e Alcestit? Nuk besoj. Megjithatë… Megjithatë, çfarë? Po hë, pra, nxirre të shkretën ku do të dalësh mund të thotë ndokush i pezmatuar. Por po nuk pate shtëllungë, me se do ta tjerrësh fijen e hollë?
 Alcesti e ka shpirtin të trazuar, Filenti të qetë. I pari vuan, i dyti s’e prish terëzinë. Dhe s’është punë karakteri apo temperamenti. Njëri sanguin e tjetri flegmatik. Alcesti nuk vuan nga tëmthi por nga mllefi. I është grumbulluar aq shumë sa se mban dot më brenda vetes. Dhe shpërthen në rastin më të parë kur hipokrizia, servilizmi, interesi e shpërfytyrojnë njeriun, e bëjnë komediant. Gjërat të thuhen siç janë, njeriu të thotë atë që mendon dhe fjala të përputhet me kuptimin e saj. Kaq kërkon Alcesti. Dhe nuk lëshon pe. Po Filenti ç’bën? Çdo gjë, përveç asaj që nuk bën Alcesti. Të gjitha rolet për komedinë e madhe që luhej asokohe brenda dhe jashtë oborrit mbretëror. Dhe punët i shkojnë fjollë. As mërira, as brengosje, as procese gjyqësore si Alcesti. Rrëshqet Filenti, rrëshqet. Si në vaj, dhe kush të dojë le të thyjë kokën, po nuk mësoi si të rrëshqasë…..
 Alcesti apo Filenti? Intranzigjenti apo komedianti? Njeriu apo shëmbëlltyra e tjetërsuar e tij? Një Alcest, dhe komedia s’të bën të qeshësh. Po dhjetë, po njëqind, po një mijë? Komedia mbaron. Po një mijë, po një milion Filentë? Komedia vazhdon. Atëherë unë për vete e vendosa se kë të zgjedh përfundimisht, se kujt t’ia hap dhe kujt të mos ia hap derën time.
 Rudolf  Marku e mbyll bukur shkrimin e tij me thënien proverbiale shqiptare se “burri lidhet nga fjalët”. Pikërisht kjo më kujtoi dy personazhet e  Molierit. Njëri lidhet, tjetrin s’ka burrë nëne nga ta kapë, se po të ishte dem do të mund të kapej të paktën nga brirët. Po besa shqiptare a nuk është një përputhje madhështore e fjalës me kuptimin e saj, e thënies me veprimin konkret? Atë që thotë Konstandini duhet ta bëjë medoemos, i gjallë apo i vdekur. Përndryshe nuk e tret dheu. Po “ burri që është burrë”, siç shprehet malsorçe Lila e “Malit të tejdukshëm” të Zija Çelës, kërkon që ta tresë dheu. Që të mbyllet thjesht dhe bukur cikli i jetës njerëzore.
 Po në oborrin tim si i kam lulet, si e kam barin? E kam fjalën në shkollë, atje ku punoj. Lulet nuk mungojnë, po as bari. Për lulet kujdesemi, bari na mbin vet. Kopshtari i mirë nuk harron as të parat as të dytin. Sent –Ekzyperia ka një parabolë shumë të bukur për dy kopshtarë. Pas një periudhe të gjatë miqësie, dy kopshtarë u detyruan të ndaheshin nga njëri-tjetri. Ai që u largua ndënji shumë kohë pa dërguar ndonjë njoftim se ç’bëhej e si i shkonin punët. Më së fundi vjen një letër e çuditshme vetëm me pesë fjalë: “Sot në mëngjes i krasita trandafilat”. Shoku u gëzua po nuk e kuptoi deri në fund se ç’kish dashur të thotë miku i tij. Për ditë me radhë ai ulej t’i kthente përgjigje, por nuk dinte sesi, gjersa kuptoi gjithçka. Atëherë ai u ul dhe i dërgoi këtë përgjigje: “Edhe unë, sot në mënges i krasita trandafilat”.
 Mësues dhe pedagog i mirë është ai që  krasit te vetja në radhë të parë, pastaj te të tjerët, te nxënësit apo studentët e tij. Se, fjala vjen, çfarë nxitje për punë shkencore mund t’u japë studentëve një pedagog i cili e shumta mund të ketë botuar vetëm ndonjë tekst mediokër të kompiluar dhe nuk ka arritur për vite me radhë të dalë ndonjëherë në shtyp me pretekstin e stërnjohur se nuk ka organe të mjaftueshme apo të përshtatshme për fushën e tij? Po një pedagogu titullar i lëndës së përkthimit, që nuk ka përkthyer e botuar të paktën një libër gjatë viteve të tij të punës në shkollën e lartë, a i zë vend fjala në auditor e jashtë tij? Po një pedagogu letërsie që flet me pasion për vlerat e larta njerëzore, që indinjohet kundër zvetënimit të tyre, ndërsa në jetën e tij të përditshme, në marrëdhëniet me kolegët, studentët etj. nuk është luajal, tregohet meskin e dashakeq për të tjerët, ç’peshë të mjeruar i ka fjala ?
 Në se shndërrohet një sekretar partie që i ndan fjalët nga veprat, që dhjetë mijë studentë të universitetit kërkon t’i bëjë shqerra, ndërsa djalin e tij, po student, e ka ujk? Dhe kur, duke ngrënë bukë, në të njëjtën tavolinë, bën sikur nuk ia sheh as qimet as dhëmbët e gjatë? Po pse duhet ngurruar për ta quajtur në këtë rast shokun sekretar demagog, e njeri me dy fytyra, sepse tjetrit, kur vjen puna, mund t’i bëjë gjëmën, kurse për vete mbush shtambën.
 Dhe kështu mund të vazhdoje me hallkat drejtuese, ku më mirë duhen kuptuar nga vetë personat afatet e qëndrimit për ripërtëritjen e të dy palëve, duke ndjekur logjikën e Alcestit, i cili, kur vendos të bëjë diçka, nuk llogarit me kandarin e farmacistit se sa miq dhe sa armiq do të bëjë. Megjithatë, siç thotë një poezi e bukur greke, e përkthyer me sa më kujtohet nga Fatos Arapi “O Jani, pushoje ca luftën/ Që tymi të shpërndahet e të numërojmë/ shokët që na janë dhe vrarë”.
 Para ca kohe një miku im, që fatmirësisht shpëtoi pas një aksidenti të rëndë rrugor, na mblodhi për të festuar shërimin e tij. Ai është një punëtor i thjeshtë i shërbimeve elektrike. Puna ia do që të hyjë në shumë shtëpi. Po varet si hyn. Dhe nuk është punë këmbe, e majtë apo e djathtë. Ai hyn si njeri i mirë që vjen për të mbaruar punë. Më kollaj dhe më me qejf shkon e punon tek “argati” sesa te “kuadri”. Dhe nuk ta përton po i ndënje rëndë-rëndë. As rakinë dhe as kafenë nuk ta pranon para se të largohet. Të them të drejtën u habita kur pashë se ishim mbledhur aq shumë miq e shokë. Rreth 60 vetë. Një ditë më parë kishte festuar me rrethin familjar. Qe me të vërtetë një festë e bukur. Pa protokoll, pa rangje e ofiqe. Askush nuk donte të ishte në krye të tavolinës, askush nuk donte të mbante fjalime, por të gëzonte bashkërisht. Po mua nuk m’u durua. Doja të thoja patjetër dy fjalë për ta fiksuar më mirë në mendjen e njerëzve këtë rast të gëzuar. Kërkova lejë për të folur vetëm dy minuta dhe e mbajta fjalën. Thashë atë që m’u duk më kryesore, se gjithë sa ishim, edhe pse nuk njiheshim personalisht, kishim ardhur jo për të kryer një detyrim, por nga dëshira dhe gëzimi i përbashkët që shoku na shpëtoi dhe do të na hynte e do t’i hynim përsëri në shtëpi njëri-tjetrit. Thashë se te shoku ynë ne vlerësonim njeriun e mirë, që nuk di të gënjejë e të mashtrojë, që jeton me djersën e tij të ndershme. Dhe i urova shëndet e jetë të gjatë duke rrëkëllyer një gotë me fund. Atë natë gëzimi më ruajti nga dehja.
 Javën e kaluar Aurel Plasari botoi në gazetën “Drita” një cikël me poezi të bukura nga poezia e vendeve të Ballkanit. Edhe përkthimi ishte i goditur. Më pëlqeu veçanërisht vjersha e shkurtër “Lufta” e poetit turk Neçati Xhumali. Mesazhi i saj se nuk duhet ndenjur mënjanë kur të tjerët ndeshen më kujtoi sërish Alcestin tim. Edhe Alcesti nuk është nga ata që struken në shtëpinë e tyre kur të tjerët ndeshen në rrugë. Prandaj Zhan- Zhak Rusoi nuk kishte të drejtë kur e kritikonte Molierin për krijimin e figurës së Alcestit. As unë nuk bashkohem me Zhan-Zhakun në këtë pikë…se “takti” i Filentit më ngjall krupë.

Facebook Like Box Genius

Cart

KERKO

Copyright © 2020 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search