clear

clear

fb twi you insta

Mozaiku paleokristian në akropolin e kalasë së Beratit

Yje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktivYje jo aktiv
 

Mozaiku paleokristian në akropolin e kalasë së Beratit

Nga Dritan Çoku

Berati përfaqëson një nga qendrat më të rëndësishme historike të Shqipërisë. Gërmimet arkeologjike të realizuara në vitet ‘70, përcaktuan vijimësinë kulturore gjatë periudhave antike dhe mesjetare, ndonëse për shkak të shtrirjes së tyre në një territor të kufizuar nuk u përftuan të dhëna në lidhje me urbanistikën, apo me monumente të veçanta. Gërmimet janë ndërprerë prej dekadash, por qyteti prezantohet edhe njëherë në kërkimin shkencor nëpërmjet të dhënave të reja të dala në mënyrë rastësore, gjatë punimeve që synonin përmirësimin e infrastrukturës urbane brenda kalasë[1]. Këto punime nxorën në pah gjurmët e një mozaiku (Fig. 72-76), që ndodhej në zonën e rrethimit të tretë (Fig. 71&77), në thellësinë 1,80 m, ndërsa sipërfaqja e seksionit të zbuluar kishte përmasa 5,90 x 3,30 m (rreth 20 m²)[2].

Untitled_73_a.png      Ky mozaik mendojmë se është i antikitetit të vonë dhe mund t’i përkasë një bazilike paleokristiane. Themi “mund”, sepse nuk lexohen akoma strukturat e mureve dhe planimetria e objektit. Teknika e ndërtimit të kësaj dyshemeje të shtruar me mozaik, orientimi i motiveve dhe mbishkrimeve në lindje – perëndim, vendndodhja e mozaikut në pikën më dominuese të kalasë, na i përforcon akoma edhe më shumë mendimin se ajo mund të jetë një bazilikë paleokristiane[3].

      Zbulimi merr rëndësi të veçantë, pasi përfaqëson të parën ndërtesë të shtruar me mozaik në ambientet e rrethimit të qytetit të Beratit dhe njëkohësisht i bashkëngjitet grupit të monumenteve religjioze të tjera të shtruara të periudhës paleokristiane në vendin tonë[4].

      Ky mozaik plotëson repertorin e dyshemeve të zbukuruara në kishat që ndodhen në kalanë e Beratit. Teselat – kubikët janë prerë nga gëlqerorë shumëngjyrësh, nga balta e pjekur dhe mermeri. Përmasat e kubikëve janë 14 mm x 14 mm. Sipas mendimit tonë, ka ndodhur që kjo hapësirë e gërmuar të përkojë me nefin qendror të bazilikës. Vihen re dy mbishkrime, përkatësisht: krahu i majtë me 9 rreshta (Fig. 75) dhe ai në të djathtë me 8 rreshta (Fig. 76) të kuadratuara në motivin e gërshetit, mjaft i përhapur në periudhën paleokristiane. Mbishkrimi, ashtu si një pjesë e mirë e dyshemesë e shtruar me mozaik, është mjaft i dëmtuar. Mozaiku ishte konceptuar si një tërësi motivesh gjeometrike (rrathë që ndërpriten apo takohen në perimetrin e tyre; katërkëndorë; gjashtëkëndorë; motivi i luspave; gërsheta; gjethja në trajtë zëmre, si një ndër ornamentet e përdorur në kohën e vonë antike etj). Këto motive të gërshetuara harmonishëm, të orientuara nga parimet e simetrisë, janë shpërndarë në panela. Ngjyrat që mbushin sipërfaqet brenda figurave gjeometrike, lehtësojnë leximin e mjeteve shprehëse. Të gjitha ngjyrat: grija, roza, e kuqja e tullës, e bardha dhe lejlaja janë në harmoni. Motivet që përmbyllin dyshemenë e nefit qendror, kanë konfigurimin e një zinxhiri ku hallka qendrore është një katror, motive të përsëritura të barazlarguara, që bashkohen me njëra-tjetrën nga dy diagonale të jashtme, që priten dhe krijojnë simbolin X (hapësirat e formuara nga këto prerje krijojnë gjashtëkëndor). Këtë gjë mund ta vërejmë në hapësirën e lejuar nga gërmimet.

      Motivet zbukuruese të mozaikut të Beratit dhe ngjashmëritë me mozaikë të tjerë në vendin tonë, sugjerojnë se mozaiku mund të përfaqësojë një ndërtim të shek. V[5]. Në fakt, shek. V është karakterizuar nga aktiviteti intesiv ndërtimor në të gjithë territorin e perandorisë…Gjatë kësaj periudhe Berati identifikohet në burimet e shkruara nën emrin Pulheriopolis, qytet i Pulherias, motra energjike e Teodosit II (408 – 450). Për këtë arsye është argumentuar, se duhet të ketë gëzuar vëmendje të veçantë perandorake, e cila është reflektuar në sipërmarrjen e gjerë ndërtimore, e dëshmuar sot vetëm nga disa element arkitektonik të shek. V të ripërdorur në kishat e mëvonshme[6].

      Ndonëse në fazën aktuale të studimit dhe gërmimit nuk mund të hamëndësojmë për raporte të drejtëpërdrejta midis skulpturës dekorative dhe mozaikut tonë, të marra së bashku ato janë shprehëse e periudhës së lulëzimit që ka përjetuar qyteti në antikitetin e vonë. Depozitimi i djegies mbi mozaik sugjeron ndërprerjen e mundshme të këtij zhvillimi dhe si rrjedhojë edhe shkatërrimin potencial të bazilikës. Kjo dukuri është provuar tashmë nga gërmimet arkeologjike në sitet e tjera të vendit, si Antigone, Bylis, shkatërrimi i të cilave është lidhur me ngjarjet e dhunshme me të cilat u përball rajoni gjatë inkursioneve sllave të shek. VI, të cilat të shoqëruara me tkurrjen demografike të shkaktuar nga sëmundje dhe shkaqet natyrore, çuan në shkretimin e shumë qyteteve, ndërmjet tyre dhe Pulheriopolis[7].

      Vazhdimësia e gërmimeve arkeologjike në përputhje me normat shkencore, do të na jepnin saktësisht gjurmët e vjetra të bazilikës paleokristiane, ndoshta do të zbuloheshin elemente arkitektonike, që kanë qenë pjesë e arkitekturës së kishës – bazilikë, si dhe gjetje të tjera. Nga zbulimi i plotë i saj, ne do të përfitonim mjaft informacione të vlefshme për vet monumentin, historinë e tij, por edhe për historinë e kalasë së Beratit. Zbulimi i saj do të ishte një dokument i rëndësishëm arkeologjik, i cili do të përbënte një pasuri të madhe për arkeologjinë shqiptare, por edhe më gjerë.

      Gërmimet arkeologjike, deri në kuotën e dyshemesë të zbukuruar me mozaik, do të sistemonin territorin e rrethimit të selisë brenda kështjellës. Pas gërmimeve, synimi ynë është marrja e masave të nevojshme në garantimin e ruajtjes së vazhdueshme të rrënojave, si të elementeve arkitektonike, ashtu edhe të objekteve të zbuluara. Përforcimi strukturor, trajtimi konsolidues i tyre, duke respektuar integritetin e sistemit strukturor historik si dhe ruajtja e formës së tij, është një tjetër proces që është një domosdoshmëri për të siguruar kushtet e konservimit të kësaj trashëgimie arkitektonike të krishtërimit të hershëm.

      Pas punimeve të mësipërme, mozaiku duhet mbuluar në një formë të studiuar mirë, sepse veç sigurimit të tij, duhet t’i krijohet mundësia e ekspozimit më të mirë (ndërtimi i mbulesave me konstruksione të lehta metalike e xham), interpretimit edukativ dhe botimit të këtyre objekteve me vlera shkencore, historike e artistike, në mënyrë që të shërbejnë për të njohur traditën e për ta çuar atë më tej te brezat e ardhshëm[8].

Fig. 71: Vendndodhja e mozaikut. Foto: Alket Islami.

Fig.71.jpg

Fig. 72: Pjesë  nga mozaiku. Arkivi i DRKK-Berat. Foto: Elton Xheka, gusht 2012.

Untitled_72.png

Fig. 73: Pjesë nga mozaiku. Arkivi i DRKK-Berat. Foto: Elton Xheka, gusht 2012.

Untitled_73_a.png

Fig. 74: Pjesë nga mozaiku.  Arkivi i DRKK-Berat. Foto: Elton Xheka, gusht 2012.Untitled_74.png

Fig. 75: Mbishkrimi në greqisht (majtas).  Arkivi i DRKK-Berat. Foto: Elton Xheka, gusht 2012.

Untitled_75_a.png

Fig. 76: Mbishkrimi në greqisht (djathtas). Arkivi i DRKK-Berat. Foto: Elton Xheka, gusht 2012.

Untitled_76_a.png

Fig.77: Planimetria e rrethimit të tretë (rrethimi i selisë) të kalasë dhe objekteve brenda saj

 Untitled.png

[1] Projekti “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe të Integruar të Trashëgimisë Kulturore dhe Historike në Shkodër, Korçë, Elbasan dhe Berat” përfaqëson një sipërmarrje të financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

[2] Skënder Bushi, Era Xhaferaj, Altin Behari, “Mozaiku paleokristian në kalanë e Beratit”. Raport paraprak, Candavia, 4, 2013, f. 123-132.

[3] Dritan Çoku, Berati, historia e emrit të një qyteti, “Shqiptarja.com”, suplementi “Rilindasi”, 13 janar 2013.

[4] Skënder Bushi, Era Xhaferaj, Altin Behari, Vep. cit., f. 123-132.

[5] Skënder Bushi, Era Xhaferaj, Altin Behari, Vep. cit., f. 123-132.

[6] Po aty, f.123-132.

[7] Skënder Bushi, Era Xhaferaj, Altin Behari, Vep. cit., f. 123-132.

[8] Dritan Çoku, “Të dhëna të reja të krishtërimit të hershëm në Berat”, gazeta Shqiptarja.com, suplementi Rilindasi, Viti II – Nr: 34, 26 gusht, 2012.

Facebook Like Box Genius

Cart

KERKO

Copyright © 2020 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search