clear

clear

fb twi you insta

Takimi

Vleresimi aktual: 5 / 5

Yje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktiveYje aktive
 

Valbona Bozgo Musai

20664553_10203451626168268_4228340332311149273_n.jpg                                         Takimi

     ''Në nëntë maj, të shtunën, në tetë të mbrëmjes, kemi takim me ish-shoqet e shokët e kursit'', i pati thënë Vjollca, Dorinës, një pasdite, fillim marsi, kur pranvera kishte filluar të çapitej e drojtur, e penguar herë pas here nga stërkëmbëshi i ndonjë dite të ftohtë dimërore.

Dorina u befasua. Njëzet vjet kishin kaluar që nga mbarimi i studimeve në fakultetin e inxhinierisë elektrike! Cilët ishin ngacmuar nga dëshira për t'u parë me shokët e universitetit?! Si eksperiment social!

     I ishin dukur të habitshme, gati absurde këto takime që zakonisht organizoheshin në

vite jubilarë, si për t'i parë njëri-tjetrit rrudhat, thinjat, ijet e zgjeruara, barqet e vëna, për të mësuar largimin e ndokujt nga jeta apo thjesht për të ditur se si u kishte rrjedhur ajo.

     ''Mirë. Do të vij!”, iu përgjigj ajo Vjollcës.

     Ish - shoqja e kursit, tek largohej, e befasoi me detajin që i tha:

     ''Do të jenë edhe ata të kursit të inxhinierisë mekanike''!

     Karem i kishte Vjollca këto fjalë, si t'i thoshte: ''Mos eja, po deshe''?!

     Ndërmendi vendet e auditorit ku uleshin bashkëstudentët, veçanërisht në vitin e fundit të shkollës. Kujtoi pa vështirësi ata që qëndronin para dhe pas bankës së saj.

     Përse duhet të ishin të pranishëm edhe ish-studentët e inxhinierisë mekanike në takimin e kursit të tyre? Koeficienti i afërsisë mes sho-shokut zvogëlohej me rritjen e numrit të pjesëmarrësve! Një nga arsyet e organizimit të këtyre takimeve ishte pikërisht ruajtja e këtij afrimiteti.

     ''Ai''... do të vinte? Mbase Vjollca dinte diçka. Jo më kot ia kishte hedhur ato fjalë me ton shpotitës. 

     ''HB! HB2...'', tha me vete. Kujtesa iu gjallërua. Sa herë i kishte përsëritur këto iniciale njëzet vjet më parë. Sikur të kishin ndodhur në një tjetër galaktikë.

     Rrëmoi në një prej sirtareve sende me përkatësi vjetërsie njëzet e më shumë vjeçare: një bllok kujtimesh që i përkiste maturës, i cili hapej më me lehtësi në faqet ku ishin ngjitur fotografitë bardhë e zi të ish-bashkënxënësve të saj, të shoqëruara me shprehje mallëngjyese ndarjesh, a thua se botës po i vinte fundi dhe një ditar që e kishte mbajtur për pak kohë, më shumë duke imituar të tjerët, sepse, në të vërtetë, nuk i pëlqente t'ia zbraste atij shpirtin, paçka se këtë rol kishte.

     Ja edhe disa letra të zverdhura që kishte shkëmbyer me një shoqe nga Kruja, të cilën e kishte njohur në një kamp bregdetar pionierësh dhe disa fotografi me të, dy hartime që mësuesi i letërsisë në gjimnaz ia kishte lexuar para klasës dhe...''HB2-shi”! Një gjysmëlaps i ndarë për së gjati, si një ristelë e hollë, që kishte ngecur në një plasë përfund sirtarit.

     Iu desh të përdorte thonjtë për ta nxjerrë. Kishte qenë lloji më cilësor i lapsave të asaj kohe. Në fund të tij lexoheshin akoma qartë gërmat ''HB''! Numri dy që vinte pas tyre, bash mbi grafitin e ndarë më dysh, si palcë e shqyer, pothuaj nuk dallohej.

     Në vitin e fundit të studimeve, teksa zbriste me nxitim shkallëve të fakultetit, një djalë ishte ndalur për ta ndihmuar që të mblidhte disa lapsa që iu derdhën me zhurmë nga çanta dhe, duke veçuar njërin prej tyre, të ndarë dy pjesësh, ndoshta nga përlasja me dyshemenë, i kishte thënë:

     ''Ky laps ka inicialet e emrit dhe mbiemrit tim. Veçse, emri më fillon me gërmën e dytë të tij''.

     ''Emrin ta di. Mbiemrin..., jo'' 

     ''Haka! Besnik Haka'', i ishte përgjigjur ai dhe, me lëvizje të ngadalëta, si për t'i dhënë kohë vajzës të fiksonte ç'i tha, i kishte zgjatur gjysmën e lapsit me gërmën ''B'', si t'i jepte një kartëvizitë. Tjetrën e kishte futur në njërin prej xhepave të pantallonave.

     Dorina kishte vështruar për pak sekonda gjysmën e lapsit, ndërkohë që Besniku e sodiste me të tillë admirim, si të nderonte një tempull.

     ''Nxitoj'', i kishte thënë.

     ''Folëm vetëm për dy gërma në fund të një lapsi. Si thua, t'i marrim nëpër gojë edhe gërmat e tjera ndonjë ditë''?

     ''Ku janë shënuar ''ato të tjerat?'', ia kishte kthyer Dorina buzagaz, duke u turravrapur shkallëve, më tepër nga kënaqësia e bisedës së sapobërë, sesa nga nevoja për të arritur për ku ishte nisur.

     ''Këtu!'', kishte dëgjuar pas krahëve. 

     Kishte kthyer kokën dhe kishte parë tjetrin me dorën mbi zemër.

     ''Besnik Haka! HB! HB...'', përsëriste vazhdimisht, si refrenin e një kënge që nuk i ndahet lehtë kujtesës. 

     Të nesërmen, në cepin e bankës së saj, të dalë paksa boje nga fërkimi i duarve dhe bërrylave të studentëve, kishte gjetur një shënim: ''HB''! Një të ngjashëm e kishte pikasur pas dy ditësh, në murin anash saj, ku mbështetej ndonjëherë.

     Që nga takimi i parë në shkallët e fakultetit, ishin parë me Besnikun edhe dy herë të tjera në pushimet mes orëve të mësimit, teksa nxitonin në ambientet ku kryenin eksperimentet e lëndëve profesionale. Ai e kishte përshëndetur me dorë. Ajo, vetëm me një qeshje të lehtë. E kërkonte me sy vazhdimisht. 

''Dorina!”, kishte dëgjuar një mëngjes një zë pas shpatullave, fare pranë veshit, i cili, sikur kujdesej që asnjë nga tingujt e shqiptuar me ngarkesë akuze, malli, ankese e triumfi njëherësh, të mos lihej jashtë hinkës së tij.

     ''Ah! HB dy!'', ishte kthyer menjëherë ajo, sikur sapo t'i ishte rishfaqur një virus i ndeshur para pak kohësh.

     ''Pas marrjes së diplomës...'', i kishte folur zëri që tashmë i lëshonte tingujt para fytyrës së saj, ''njëri nga tre qytetet ku mund të më caktojnë do të jetë ai i yti''.

     Vështrimi i Dorinës kishte shoqëruar vërtitjen e një trekëndëshi kënddrejtë në gishtin tregues të Besnikut. E kishte hetuar. Nuk i kishte folur për ''virusin''. Për asgjë. Ai e kishte shpejtuar rrotullimin e vizores.

     ''Do të thuash se dëshiron të të caktojnë aty?”, e kishte pyetur ajo.

     Trekëndëshi e kishte ndalur lëvizjen.

     ''Po',' i ishte përgjigjur ai dhe kishte shtuar: ''Që të të sjell një tufë lapsash të markës ''HB dy''!

     Ajo kishte qeshur hareshëm dhe trekëndëshi kishte filluar të rrotullohej sërish, tërë qejf dhe njëtrajtshëm.

     ''Po të pres të më sjellësh lapsat në qytetin tim, atëherë...'', kishte nënshkruar ajo paktin.

     Ai i kishte shtrënguar dorën të mbështetur mbi parmakun e shkallëve.  

                                                    * * *

Në dhomën e gjumit Dorina iu lëpi pasqyrës gati njëzetvjeçare, anash së cilës kishte  disa rafte të vegjël që shërbenin për vendosjen e aksesorëve kozmetikë. Kqyri me imtësi fustanin e ri, qepur enkas për takimin në fjalë. Lëshoi flokët e gjatë e me onde,  të lyera në ngjyrën e tyre natyrale, për të fshehur ndonjë thinjë aty-këtu dhe mori poza vetëpëlqyese, si prej vajzeje të re.

Pasqyra luante rolin e një dadoje. Është nga të paktat objekte, mendonte ajo, e cila vendos marrëdhënie të ngushta me njeriun dhe që pranon edhe sjelljet më të fshehta të tij. Edhe më të fshehta sesa ditari. Për këtë të fundit gjithnjë ekziston rreziku i zbulimit. Për pasqyrën, çdo gjë zhduket në sekondë.

     ''Mirë më rri?”, pyeti për fustanin, Zamirin, të shoqin, që shihte në një televizor të vogël, të vendosur mbi një skelet metalik, në një lartësi mbi dy metra nga dyshemeja.

     ''Kaq herë të thashë ''Po!”, shprehu ai bezdinë.

     Jashtë u dëgjua një bori e fortë makine. Megjithëse e priste, Dorina brofi si e kapur në befasi.

     ''Erdhën!”, bertiti me gëzim dhe paksa me frikë.

      ''Erdhën!”, tha i shoqi i lehtësuar, sikur mezi e priste zhvendosjen e një barre.

     Vjollca ishte ulur në ndenjësen e pasme të makinës, ndërkohë që i vëllai iu drejtua me ''vajza''. Në të vërtetë, buzëqeshjet, fjalët lozanjare që këmbyen me njëra-tjetrën, llastimet vajzërore, ashtu i thanë dhe i bënë, gjysmë të ndërgjegjshme, si të luanin ndonjë rol. Po luanin vetveten! Pas njëzetë vjetësh! 

     Çikërrimat e tualetit në çantë u grindën kur Dorina kërkoi midis tyre një shami letre. Preku një gjysmëlaps që e kishte futur enkas. ''Gjysmagjeli'', i pëlqente ta quante me ironi dhe dhimbje.

     Me këto fjalë e kishte dënuar dikur Besnikun, kur ai, as emërimin nuk e kishte siguruar në qytetin e saj, as i gjallë ishte bërë. Me ngurrim kishte pyetur për të, Vjollcën, e cila, disa vite fëmijërie i kishte kaluar në qytetin e tij. Pas disa ''hetimeve'' që kishin arritur të kryenin të afërmit e saj, i kishte dhënë mandatën:

     ''Ka ikur ''jashtë''! Në Itali më duket''. Pastaj, si për të ngushëlluar Dorinën, apo shfajësuar Besnikun, kishte shtuar: ''Ouuuu, sa shumë veta janë larguar''! 

     Përse e kishte marrë atë gjysmëlaps me vete?! Ia kishte bërë edhe pasqyrës këtë pyetje. Për të akuzuar Besnikun për fjalët boshe që kishte thënë në të ri të tyre? Apo për t'i mbushur mendjen vetes se ky send, apo gjysmësend, nuk mund të ishte më tepër sesa një detaj komik i atyre viteve, kur shpirti rinor besonte lehtë. Që të dy (me siguri edhe ai), kishin familjet dhe jetët e tyre.

     Bisedat e të treve në makinën me xhama gjysmë të hapur copëtoheshin nga flladi i lehtë që u hynte dhe prej të cilit ato, ''vajzat'', ruanin formën e krehjes së flokëve duke i mbrojtur me duar.

     ''Arritëm!”, tha i lehtësuar vëllai i Vjollcës.

     Lokalin luksoz, para të cilit ndali makina, nuk u kujtohej ta kishin parë gjatë viteve studentore. Se mos vetëm këtë...! Sa shumë kishte ndryshuar Tirana...! Siç kishin ndryshuar edhe ato vetë.

     Dikush në hyrje të tij u bëri me shenjë të futeshin brenda.

     ''Iliri!”, thanë të dyja shoqet njëkohësisht.

     Pak i thinjur në tëmtha dhe pas një stepjeje të shkurtër, duke i drejtuar gishtin secilës, si njerëzit e epokës së internetit që janë njohur virtualisht dhe u vjen çasti për t'u takuar nga afër, u foli, duke ua shkërmoqur emrat:

     ''Do-ri–na! Vjo-llca''!

     U përqafuan!

     Ndjeu një lloj trazimi. Të ishte nostalgji? Nuk e dinte! Thjesht i pëlqeu.

     Mbase, takime të tilla, më shumë se mallin për të tjerët, fshihnin atë për vetveten, një dëshirë për të parë të kaluarën, se si kishin rrjedhur vitet, duke gjykuar zgjedhjet e bëra në jetë.

     Adriana! Bo,bo..., sa ishte shëndoshur! Ashtu e zhurmshme kishte mbetur, si në të ri të saj.

     ''Mbërritëm shpejt nga Lushnja, sepse rrugën e kanë zgjeruar dhe asfaltuar'', u tha ajo pasi i përqafoi. Pastaj, pa i shkëputur krahët nga shpatullat e shoqeve, bëri kokën pas për të vërejtur më mirë gjurmët që kishin gdhendur vitet tek to. Pasoi një tjetër përqafim, edhe më i ndjerë, sikur t'i kërkonin falje njëra-tjetrës për mungesën e gjatë që e kishin lejuar t'i ndante.

     Shpejt lokali u mbush me larmi zërash të ish-bashkëstudentëve që përqafoheshin gjatë dhe me mall, ku drama dhe hareja kishin prishur kufijtë. Të tëra këto shoqëroheshin nga ndjesia e pranisë së një fajtori të paemër që i kishte larguar nga vitet më të bukura. 

     Organizatorët e takimit, Agimi i inxhinierisë mekanike dhe Iliri i tyre, u kërkuan të uleshin sipas dëshirës. Zhurma e zërave, tryezave dhe karrigeve u përzie me muzikën e një kënge ''hit'' të rinisë së tyre, të luajtura nga një orkestër në një kënd të lokalit që  u përurua me ndonjë lot, për nder të viteve më idealiste të jetës.

     Dorina hetoi secilin, si rastësisht, tek uleshin dhe, ndërsa kërkonte në çantë një karficë për të mbledhur flokët (sapo kishte filluar një agushti e lehtë), nga pas dëgjoi t'i përmendnin shkujdesur emrin.

     Ishte Ai! ''HB dy-shi pra...!” I ishte drejtuar me të tillë shpengim, sikur të ishin ndarë para dy ditësh! Sapo kishte arritur në lokal dhe përshëndetej me të gjithë duke u shkuar në vendet ku ishin ulur.

     Ç'budallaqe që ishte! Donte ta kryqëzonte veten. I ishte dorëzuar mëshirës së një melodrame të shkuar, ndërkohë që tjetri nuk kishte shfaqur emocionin më të vogël kur e kishte përshëndetur.

     Njëzet vjet! Mbase të mirën ky takim aty e kishte, tek ç'melodramatizimi i së kaluarës!

     Ktheu një gotë verë me fund. Tingujt e gëzueshëm të një tangoje i ftuan të vallëzonin. Ajo dancoi me një nga ish-shokët e kursit, Altinin.

     Në vallëzimin e dytë Besniku e ftoi. Në të parin, sikurse edhe ajo, ai kishte kërcyer me një ish-shoqe të kursit. Çdo gjë në këtë takim fillonte me atë ishin e largët, barrikadë, zgjues dhe të pamëshirshëm njëkohësisht.

     ''Ç’ke bërë këto vite””, foli ai i pari. 

     Ajo heshti disa sekonda, për t'i dhënë përgjigjen më fjalëpake një pyetjeje që meritonte tirada pergjigjesh.

     ''Të zakonshmet e një jete familjare: martesë, fëmijë, punë, halle, por edhe kënaqësira. 

     ''Punon?”

      ''Po!”

     ''Po ti?”

     ''Edhe unë!”

      “Fëmije?”

     ''Dy!”

     ''Të të rrojnë!”

     ''Faleminderit!”

     ''Ti...?”

     ''Katër!”

     ''Uauuu...!”

     Tingujt tepër ritmikë të një muzike të kohëve të fundit, dukej se e bënin të pamundur bisedën me shprehje të gjata. Folën për gjëra që s'kërkonin të mendoheshe shumë.

     Në mbarim të vallëzimit qeshën të shkujdesur, si për t'i pohuar njëri-tjetrit parëndësinë e asaj që u kishte ndodhur para njëzetë vjetësh.

     Pas dy orësh Besniku u largua i pari. Me Dorinën u përshëndet si me të gjithë të tjerët.

As ajo s'donte të rrinte më. Për të bindur veten se dëshira për t'u larguar nuk kishte asnjë lidhje me ikjen e tjetrit, ndenji edhe një orë.

     Kur doli nga lokali, në një qoshe të tij, nën dritat e forta që i stolisnin fasadën, pa një kosh mbeturinash. Era e freskët që frynte sikur e shkundi nga romantizmi i së kaluarës, prej së cilës donte të çlirohej me gjithçka. Mori frymë thellë. Nxorri nga çanta gjysmëlapsin. Pa me ironi dhe dhimbje të lehtë inicialet ''HB'' dhe e flaku në kosh. Brenda tij kishin hedhur një tjetër gjysmëlaps të ngjashëm!

Facebook Like Box Genius

Cart

KERKO

Copyright © 2020 FENIXPOST, developed by AgoràFutura.Net - All rights reserved.

Search