Marte, 23 Korrik 2019 | Login
Marte, 23 Korrik 2019 | Login
"Aventurat" dhe vlerat e Kodikut të purpurt të Beratit 

"Aventurat" dhe vlerat e Kodikut të purpurt të Beratit  Featured

"Aventurat" dhe vlerat e Kodikut të purpurt të Beratit 

Dr. Shaban SINANI 

Kodiku i Purpurt i Beratit" është një prej vlerave të jashtëzakonshme kulturore të hapësirës shqiptare, një përmendore e traditës së shkrimeve të shenjta në Shqipëri dhe në gjithë hapësirën biblike të kohës së krishtërimit të hershëm.

Katedralja e Onufrit, Vendi ku ishin fshehur e ruajtur Kodiket e shenjte, 2 nder 7 me te vjetrit e botes.

20799400_10212666022198062_5201653157726867009_n.jpg20799003_10212666027838203_2997209303096427790_n.jpg

14484649_10209571925607581_7213784063089698110_n.jpg

             Popujt që kanë një të shkuar qysh prej paleokrishtërimit, sikundër janë latino-romanët, judenjtë, helenët dhe iliro-shqiptarët, kanë një privilegj të madh historik dhe kulturor. Në këta popuj krishtërimi u pranua në një kohë kur ishte i pandarë. Si i tillë, ndër iliro-shqiptarët paleokrishtërimi parapriu traditën e ekumenizmit, jo vetëm ndërmjet degëve të krishtërimit, por dhe midis besimeve abrahamike në përgjithësi. 

Dymijë vjet më parë, kur popujt e përfshirë në hapësirën biblike pranuan mendimin e krishterë, duke i sjellë kësaj bote për herë të parë barazinë më të madhe, barazinë e qenieve njerëzore ndaj vlerave hyjnore, pavarësisht nëse ishin aristokratë apo skllevër, ndoshta nuk e dinin se po ndryshonin rrjedhat e historisë. 

Vlera, autori, vendi dhe koha 

Njeriu që e përshkroi i pari dorëshkrimin 15-shekullor të kishës së Shën Gjergjit, duke e bërë të njohur si vlerë e përveçme e fondit botëror të letërsisë biblike, ka qenë peshkopi i mitropolisë së Beratit Anthim Aleksudhi. Në vitin 1862 ai botoi në Athinë veprën "Vështrim historik mbi historinë e mitropolisë së shenjtë të qytetit Belegradon, tani Berat, dhe mbi dorëshkrimet e saj", ku koleksionit të bibliotekës së mitropolisë iu kushtua një vëmendje e veçantë. Disa vite më pas, më 1882, ishte belgu Dyshen (Ludovico Duchesne), i cili, duke bashkuar tri cilësi të dorëshkrimit: tipin e tij (kodik), ngjyrën e pergamenës (e kuqe e thellë, e purpurt) dhe emrin e qytetit (Berat), e bëri të njohur në Perëndim këtë dorëshkrim thuajse përpikmërisht me emrin me të cilin pak kohë më vonë do të pagëzohej përgjithnjë: Kodiku i Purpurt i Beratit". Dyshen mendonte se si ky dorëshkrim në botë duhej të ishin jo më shumë se "një dyzinë". Që nga koha kur ai botoi artikullin e tij në "Bulletine critique" kanë kaluar shekuj e dekada dhe numri i dorëshkrimeve të kësaj hershmërie jo vetëm nuk është shtuar, por është rrudhur. 

Megjithatë, është francezi Pier Batifol (Pierre Batiffol) ai që përfundimisht nguliti emrin e dorëshkrimit të trashëguar shekull pas shekulli në bibliotekat e letërsisë ungjillore të Shqipërisë. Titulli i një monografie të botuar prej tij më 1886 në Paris mban në krye emrin "Kodiku i Purpurt i Beratit" ("Codex Purpureus Beratinus et les manuscrits grecs en Albanie").   

Ndër njerëzit shqiptarë të letrave merita e vlerësimit të parë publik-shkencor të këtij dorëshkrimi është e Ilo Mitkë Qafëzezit, i cili e përshkroi atë, bashkë me "Kodikun e Artë të Anthimit", në vitet '30, në rubrikat bibliografike të një buletini të Bibliotekës Kombëtare. 

Sipas hartuesve të historikut të krijimit të fondit të kodikëve në AQSH, rezulton se këshillimi i mendimit të specialistëve për vlerën e "Kodikut të Purpurt të Beratit" ndodh për herë të dytë afërsisht katër dekada më pas: 

"Më datën 14/IX/1969 u thirr specialisti Theofan Popa për të vlerësuar kodikët, i cili dha këto mendime: Dy kodikët në dorëshkrim që u gjendën në Berat konsiderohen si të humbur prej shumë vjetësh. Njëri nga këta njihet dhe konsiderohet në përgjithësi si një nga kodet më të vjetër të botës së krishterë". 

Në botën shkencore studimi i "Kodikut të Purpurt të Beratit" për afro një shekull vijoi duke pasur si referencë tekstin e tejshkruar prej Batiffol-it. Gregory-Aland, në lexicon-in e traditës së përbotshme të dorëshkrimeve të fjalës së shenjtë ("lectionary"), rikonfirmuan vendin e këtij dorëshkrimi në pikëpamje të renditjes kronologjike dhe i shtuan listës një varg dorëshkrimesh të tjera të gjetura në Shqipëri. Një diskutim i gjatë është zhvilluar e zhvillohet për burimin e dorëshkrimit. Guglielmo Cavallo, një studiues i mirënjohur i paleografisë, e kushtëzon përdorimin e së purpurtës si ngjyrë hyjnizuese e perandorëve, duke e sjellë origjinën e saj në Kostandinopojë, ku ka ekzistuar më vonë një shkollë shkrimesh të shenjta. Në të kundërtën, bashkëhartuesi i skedës së paraqitjes së dorëshkrimit në ekspozitën "Ungjijtë e Popujve" Edoardo Crisci mendon se "mund t'i takojë shkollës së shkrimeve të rajonit siro-palestinez". Studiuesi austriak Buschausen, gjithashtu e lidh burimin e dorëshkrimit me Antioche-n, rajonin judeo-aramaik. 

Argument kryesor i këtyre studiuesve për të përjashtuar mundësinë e një shkolle lokale të shkrimeve të shenjta, është se hapësira iliro-shqiptare ishte periferi e botës ku u lind krishtërimi. Si duket, pozita e hapësirës iliro-shqiptare ndaj hapësirës së krishtërimit të hershëm vlerësohet ndarë prej historisë dhe në kushtet e ndikimit të sotëm të raporteve "qendër - periferi". Në lidhje me këtë debat vlen të theksohet se, disa toponime të Shqipërisë bregdetare, duke përfshirë emrin e qytetit antik "Foinike" - Finiqi i sotëm, me historinë e të cilit lidhen disa prej letrave biblike të apostujve ("Finikasve"), si dhe toponimi "Galile" në shpinë të Himarës, por nuk përjashtohet edhe një lidhje midis emrit të fshatit "Palasë" (më herët "Paleste") dhe emrit të Palestinës. Nga toponimia antike hebreje ka mbërritur deri sot emri Orikum, që mund të shpjegohet me toponimin biblik "Jeriko". Sikurse dihet, një nga udhëtimet e shën Palit preku hapësirën iliro-shqiptare, e cila ishte pjesë e hapësirës burimore biblike. Në shkrimet e shenjta thuhet "Nga Jeruzalemi në Iliri kam kryer shërbimin e Krishtit" (E Palit - Romakëve, 15:19). Në vitet '53-'56, shën Pali kaloi një dimër në Nikopojë dhe qëndroi në Apoloni. Peshkopi i parë i Dyrrah-ut, Cesari, u shugurua pikërisht gjatë këtij udhëtimi të ungjillorit Pal ("Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Selanik", Veprat e Apostujve 17:1). Në një letër të shën Palit thuhet: "Kur të dërgoj Artemin ose Titikun, eja sa më shpejt tek unë në Nikopojë, sepse vendosa ta kaloj dimrin aty" (E Palit - Titit 3:12). Një nga martirët e parë të krishtërimit, shën Asti, u ekzekutua më 117 në Dyrrah. Siç dihet, udhëtimi apostolik i shën Palit lidhej me bashkësitë hebreje që ekzistonin në hapësirën ballkanike. 

Viti 2000, vit jubilar i 2000-vjetorit të krishtërimit, bëri që të rikthehet vëmendja ndaj kësaj vepre monumentale të mendimit njerëzor, që ka sfiduar shekujt dhe mijëvjeçarët me modestinë dhe heshtjen solemne të tij. Në ekspozitën "Ungjijtë e Popujve ("I Vangeli dei Popoli") ai u vlerësua si një privilegj i rrallë dhe u vendos i dyti në radhë, për nga rëndësia dhe kronologjia, përkrah "Codice B" ose "Codice Vaticana" dhe "Codex Sinopensis" të Bibliotekës Kombëtare të Francës. Të krahasueshëm me "Beratinus-1" janë gjithashtu dy-tre kodikë të tjerë, që gjenden në Izrael ("Sinaiticus"), në Greqi ("Petropolitanus"), në Petersburg dhe në Londër. Sipas vlerësimeve të Theofan Popës, në "Kodikun e Purpurt të Beratit" gjendet "një prej varianteve më të vjetra të tekstit të Dhjatës së Re". 

Monsinjor Francesco D'Aiuto, nënprefekt i Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, studiues i paleografisë, njohës i traditës së shkrimeve të shenjta dhe i gjuhëve të vjetra të letërsisë biblike, nën kujdesin e të cilit u bë renditja profesionale e dorëshkrimeve të ekspozitës "Ungjijtë e Popujve" (Romë, 2000), e bashkon "Kodikun e Purpurt të Beratit" me 2-3 "kodikët më të vjetër" të botës ("codices antiquissimi"). Në parathënien e veprës së vëllimshme me të njëjtin titull D'Aiuto dhe dy bashkëpunëtorët e tij G.Morelli dhe A.Piazzoni, shkruajnë: 

"... në ekspozitë, në fakt, do të jenë të paraqitur, ngjitur me fragmentin e "Codice N" të Vatikanit (Vat. gr. 2305), të tjerë modele (shembuj) të kësaj tradite fine të librit, si "Codex Sinopensis" i Bibliotekës Kombëtare të Francës (Paris) - Supl. gr. 1286, që përmban skena nga jeta e Krishtit, dhe mbi të gjitha një dorëshkrim i çmuar, për një kohë të gjatë i konsideruar i humbur, kurrë ndonjëherë i ekspozuar jashtë, për një publik ndërkombëtar, "Kodiku i Purpurt i Beratit", pronë e Arkivave të Shtetit të Shqipërisë (Beratinus-1)". 

"Kodiku i Purpurt i Beratit" është një dorëshkrim që i takon një periudhe jo më të vonët se gjysma e parë e shekullit të 6-të. Ka mendime se mund të jetë edhe më i hershëm. Eshtë pranuar të jetë me këtë kronologji, duke iu referuar një kufiri me shkallë të lartë pagabueshmërie. Ende nuk janë sistemuar argumentet për një kufi më të hershëm pagabueshmërie, disa prej të cilëve mund të ishin: 

1. Ngjyra e purpurt e këtij dorëshkrimi, në fillim ngjyrë e pergamenës mbi të cilën shkruheshin përjashtimisht himnoret perandorake dhe më pas e kushtëzuar simbolikisht si shprehje e një respekti hyjnor për shkrimet e shenjta, pas shekullit të gjashtë në gjithë letërsinë ungjillore botërore nuk është përdorur më. Por: 

"Është e mirënjohur, faktikisht, se e purpurta, qysh në kohën e Dioklecianit, pati marrë një ngjyresë funksionale shenjuese të madhështisë perandorake. Për përdorimin e pergamenës së purpurt në teknikën e shkrimit ka të dhëna të sigurta vetëm prej fillimit të shekullit IV. Optaziano Porfirio i kushtoi Kostandinit një rapsodi në vargje shkruar në pergamenë të purpurt me argjend e ar dhe pak a shumë të së njëjtës kohë janë përkthimet e Jeronimit". (E. Crisci, "I Vangeli dei Popoli", f. 132). 

2. Shkrimi i pandashëm (scripta-continuae), me fjalë të ngjitura dhe me disa thekse karakteristike të greqishtes para-mesjetare, pa pnevma, periudha e të cilit mbyllet me shekullin e 6-të, por nis shumë më herët. 

3. Karakteri para-standard (i paranjësuar) i teksteve ungjillore (sipas Mateut dhe Markut). Sipas Aleks Budës, ky dorëshkrim i takon një periudhe kur "arsyeja njerëzore kishte ende kompetencë mbi shkrimin e shenjtë". 

Gati një shekull e gjysmë më parë, kur ishte për një vizitë në kishën e shën Gjergjit të Beratit, studiuesi belg Pierre Batiffol, e pati krahasuar paleografinë e dorëshkrimit të "Kodikut të Purpurt të Beratit" me "Liturgjinë e shën Gjon Gojartit" (Hrisostomit) dhe pati arritur në përfundimin se të dyja i takojnë pikërisht dorës së këtij shenjtori: "Voyez les lettres de cet évangile écrit par le propres mains de saint Jean Chrysostome, lors'qu'il etait dans sa patrie, à Antioche, diacre de l'évangile". Ludovico Duschesne mendonte se "nuk është tamam dora e shën Gjon Gojartit". 

Sido që nuk është provuar nëse "Kodiku i Purpurt i Beratit" i takon vërtet dorës së shën Gjon Gojartit, ekzistojnë disa të dhëna të tërthorta që të shtyjnë të besosh se ka një lidhje të fortë mes tyre: 

1. "Kodiku i Purpurt i Beratit" kronologjikisht lidhet me mesin e shekullit të 6-të. Dihet se shën Gjon Gojarti ka jetuar afërsisht një shekull më herët. Për të tejkaluar këtë mospërputhje përjashtuese duhet të përfillen jo vetëm argumentet e kronologjisë absolute, por edhe ato të një kronologjie relative, më të hershme se shekulli i 6-të. 

2. Sikurse shkruan Batiffol-i, atdheu i shën Gjon Gojartit ishte Antioche-a. Në këtë fakt gjendet një tjetër mospërputhje përjashtuese midis moshës së dorëshkrimit, moshës së autorit dhe vendit të pretenduar të origigjinës. Mirëpo, sipas një dëshmie të atë Zef Valentinit, shenjuar në vitin 1929, në vitin 405 shën Gjon Gojarti u internua në viset e Epirit, gjë që do të thotë në hapësirën ballkanike: "Viti 403: Shën Chrysostomi (shën Gjon Gojarti) internue n'Epir" (gjendet në: "Urdhëri Jezuit" - Kolegji Saverian i Shkodrës, "Regjistër mbi inventarin e materialit dokumentar arkivor, grumbulluar e sistemuar nga bashkëpunëtorët e Kolegjit Saverian, përpiluar nga rektori i kolegjit Zef Valentini", Dosja nr. 73, Viti 1929). Duke qenë murg dhe i internuar në një mjedis të izoluar, në vetmi dhe metidim, shkrimi i teksteve të shenjta është një punë që vinte, të thuash, vetvetiu. 

3. Sipas studiuesve shqiptarë, duke përfshirë kërkimet e prof. Kristo Frashërit mbi paleokrishtërimin në Shqipëri ("Studia Albanica 2000"), gjithashtu rezulton se shën Gjon Gojarti e ka prekur fizikisht hapësirën shqiptare. 

4. Në praktikën liturgjike shumëshekullore "Kodiku i Purpurt i Beratit" u paraqitej besimtarëve vetëm një herë në vit, dhe kjo ishte pikërisht dita përkujtimore (dita e emrit) e shën Gjon Gojartit. Pavarësisht se nuk është lënë ndonjë shpjegim teologjik pse kodiku, deri në vitet '30 të shekullit të kaluar, paraqitej vetëm në ditën e emrit të shën Gjon Gojartit, një lidhje kushtëzuese ekziston. 

Tejkalimi i "mospërputhjeve përjashtuese", duke shtuar argumentet që dëshmojnë traditën e një shkolle vendëse të shkrimit të zbatuar, do të përforconte tezën se "Kodiku i Purpurt i Beratit", për rreth 15 shekuj, nuk e ka ndërruar vendin ku u shkrua. Ai u ruajt në të njëjtën hapësirë ku lindi. 

Rreziqet ndaj KODIKUT 

"Kodiku i Purpurt i Beratit" ka pasur mbijetesë të vështirë. Nuk dihet se si i ka shpëtuar rrezikut të doktrinës, pas njësimit të teksteve biblike, por dihet mirë se, prej shekullit të 14-të, kur ishte njohur mirë tashmë vlera e tij, të paktën tri herë ky dorëshkrim i rrallë është rrezikuar për t'u grabitur: 

Shënim i vitit 1356 në "Diptikun e kishës së shën Gjergjit", BERAT 

"Kur hynë serbët në Berat dhe bridhnin poshtë e lart në rrugicat jashtë kalasë, unë, Skuripeqi, i shpëtova manastirit të Theologos dhe kishës së shën Gjergjit 27 libra nga më të mirët e më të zgjedhurit. I mbajta në krahë e shpatulla dhe bëra katër rrugë. Po të mos ndërhynim ditën e parë, ditën e dytë s'do të gjendej asgjë, pasi serbët ... edhe të vdekurit i nxorën nga varri". 

Kjo dëshmi është përmendur për herë të parë prej Theofan Popës dhe është shqipëruar e interpretuar thuajse e plotë prej arkivistit-studiues, Kosta Naçi, në artikullin "Rreth 'vendlindjes' së dorëshkrimeve mesjetare të Shqipërisë në gjuhën greke", botuar në "Shkenca dhe jeta", nr. 127, janar 1991. Skuripeki i shpëtoi kodikët prej grabitjes nga ushtria e car Uroshit. Hartuesit e historikut të kodikëve emrin e shpëtuesit të dorëshkrimit e shënojnë "Skuripeku". Studiuesit italianë shënojnë "Skouripekis". Kosta Naçi mendon se dora që ka vënë anëshkrimin në diptik duhet të jetë e një individi që greqishten nuk e kishte gjuhë amtare, sepse "anëshkrimi ka gabime ortografike", që tregojnë se autori nuk e ka njohur mirë greqishten. Naçi përfundon se shpëtuesi "ka të ngjarë që të jetë nga familja e njohur e Skurajve". A.Baçi shton se shpëtuesi ishte "i njohur me emrin Foti Skuripeki", dhe se ai i nxori kodikët nga rreziku "bashkë me zonjën konteshë dhe me murgun Theodulo, më 6 korrik të vitit 1356". 

Rrethimi i kishës gjate luftës së dytë botërore 

(Nga "Historiku i kodikëve", AQSH, Fondi i DPA, V. 1972) Komanda e ushtrisë hitleriane kishte urdhër që të gjente dhe të rrëmbente domosdoshmërisht floririn e Bankës së Shqipërisë dhe "Kodikun e Purpurt të Beratit". Ushtria naziste e rrethoi kishën e shën Gjergjit dhe shpalli se, po të mos dorëzohej dorëshkrimi, priftërinjtë do të vriteshin. Këshilli i kishës së shën Gjergjit, në këto kushte, i kërkoi leje ikonës së shën Mërisë të mos i ndëshkonte nëse do të dëgjonte nga anëtarët e sinodit një betim të rremë. Pas kësaj lutjeje, gjashtë anëtarët e këshillit (sinodit) e fshehën dorëshkrimin në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së shën Mërisë se nuk dinin asgjë se ku gjendej vepra e kërkuar. 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, këshilli kishtar i qytetit i kishte fshehur për t'i shpëtuar nga rebeshi i luftës. Gjermanët, kur erdhën në Berat, duke e ditur ekzistencën e këtyre dy kodeve të rëndësishëm të lashtësisë sonë, kërkuan nga pleqësia kishtare e Beratit për t'i parë. Pleqtë, duke qenë të betuar që të mos i tregonin, nuk i dorëzuan. Gjermanët, për t'i detyruar që t'i dorëzonin, i radhitën ata në rëzë të murit të kalasë për t'i ekzekutuar, duke vendosur edhe mitrolozin para tyre. Në atë moment, aty pranë, u ndëgjuan të shtëna pushkësh. Gjermanët menduan se po sulmoheshin, lanë pleqtë dhe ikën. Pleqtë u fshehën dhe i shpëtuan rrezikut. 

Në vitet e para mbas çlirimit, punonjësit tonë të shkencës, gjatë gjurmimit për të gjetur e identifikuar monumentet e kulturës sonë, konstatuan me shqetësim të madh mungesën e dy kodeve mesjetare, që përbënin pjesën më të vlefshme të bibliotekave të dorëshkrimeve të Beratit. Hetimi i kodikëve të fshehur u bë një problem, jo vetëm për punonjësit e shkencës, por edhe për njerëzit e thjeshtë të popullit. Organet e pushtetit në Berat kishin të dhëna dhe sinjalizime nga populli se në mitropoli, në lagjen Kala, ndodheshin të fshehur dy kodikë. Duke u nisur nga kjo e dhënë, shokët e komitetit ekzekutiv e të degës së punëve të brendshme, kontrolluan fasadën e brendshme të kishës në pjesën lindore të joadhimës (sic! - është fjala për ajodhimën) - hoqën tre pllaka guri dhe u duk një bodrum që ishte rreth 2 metro i gjatë dhe 1,5 metro i gjerë. Brenda në bodrum u gjend një arkë prej llamarine, brenda së cilës ishin kodikët, të mbështjella me kashtë. Kapakët ishin metalikë, ndërsa fletët e brendshme ishin pjesërisht të prishura nga lagështira dhe myku. Gjithashtu brenda në arkë u gjend dhe një kuti e vogël prej dërrase, ku ishte vendosur një medalion i rrumbullakët i lidhur me zinxhir, i larë me argjend. Këtë medalion e përdorte prifti në ditët e festave fetare. 

Eshtë për t'u vënë në dukje se për gjetjen e këtyre kodikëve një kontribut të madh ka dhënë qytetari beratas Nasi Papapavli, me indikacionet e tij të sakta ku duhej kërkuar (për) kodikët e fshehur, si dhe me sinjalizimet e dhëna nga qytetari beratas Dhimitër Tutulani, nëpunës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. 

Kodikët bashkë me medalionin iu dërguan nga Berati Ministrisë së Arsim-Kulturës në Tiranë, e cila më datën 21 gusht 1968 ia dorëzoi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. 

"Kodiku i Purpurt i Beratit" pati fat të vështirë edhe pas luftës. Në vitin 1968 (e më pas), kur dorëshkrimi u bë pronë shkencore-kulturore e arkivave shtetërorë, u shkruan disa artikuj për të shpjeguar zhdukjen e tij për afro 30 vjet. Për vendin e fshehtë ku ishte vënë kodiku janë përdorur termat: pusetë, kanal, qimiter, bodrum etj. Përgjithësisht është pranuar mendimi se autoritetet kishtare nuk i nxorën kodikët nga frika e dhunës ateiste. Kështu përshkruhet gjendja dhe në "Historik ...". Mirëpo, nga një qarkore e nënshkruar nga kryepeshkopi Paisi dërguar episkopatave, zëvendësive mitropolitane e episkopale dhe administratave të manastireve, në emër të Kishës Orthodhokse të Shqipnis, Kryesisë së Sinodhit të Shenjtë, më Tiranë, më 9/10/1956, me nr. prot. 45/I, thuhet: 

Me qëllim që të mund t'evitohet prishja dhe zhdukja e dokumentave me vlerë historike, që ndodhen nëpër arshivat dhe bibliotekat kishtare dhe që përbëjnë burime të rëndësishme për historinë e popullit dhe e vendit tonë, studimit të së cilës pushteti ynë popullor është duke i kushtuar një rëndësi të veçantë, jemi marë vesh me drejtuesit e Arshivave të Shtetit, që këto dokumenta, të mbahen në arshivat në fjalë, ku është siguruar ruajtja e tyre nga çdo pikëpamje. Dihet mirë dhe prandaj është e tepërt të vihet gjerësisht në dukje këtu neglizhenca dhe indiferentizmi i treguar në të kaluarën në këtë drejtim, qoftë nga ana e autoriteteve shtetnore apo kishtare, gjë që ka lejuar të prishen dhe të çduken prej injorancës e vjedhjeve sistematike dokumenta shumë të çmueshme për historinë tonë. 

Duke marë parasysh sa më sipër, udhëzoheni që t'iu jipni çdo lehtësi kompetentëve të Arshivave të Shtetit, të cilët janë të pajisur me këtë autorizimin tonë, në mënyrë që ata të mund të studjojnë dhe të bëjnë kërkime lirisht nër arshivat dhe bibliotekat tona, ku mund të ndodhen të shpërndara dokumenta nga të lart-përmendurat, tërheqja e të cilave, kur këto konstatohen prej tyre si të vlefshme, duhet të bëhet me anën të një proçes-verbali të nënshkruar prej marësit në dorëzim dhe dorëzuesit. 

Sikurse del nga dokumenti, autoriteti kishtar jo vetëm që nuk është druajtur për t'ua dorëzuar arkivave dorëshkrimet e vjetra, duke dëshmuar kulturë dhe përgjegjësi, por e ka kërkuar zyrtarisht bashkëpunimin me arkivat për kryerjen e kësaj detyre. Kjo e bën jo fort të besueshëm "konspiracionin" e priftërinjve të Beratit për të mos i dorëzuar dorëshkrimin. Mbetet një arsye tjetër: fuqia e betimit për të mos treguar. Kodikët u bënë të ditur vetëm atëherë kur pleqësia e kishës ishte rralluar shumë dhe kishte rrezik që, për shkak të betimit, sekreti të merrej me vete, në botën tjetër. Nëse do të pranohej "konspiracioni për shkak të ateizmit", si shpjegohet që kodikët iu dhanë arkivave pikërisht në vitin e shpërthimit të lëvizjes ateiste të rinisë komuniste të Shqipërisë? 

Për 14 shekuj me radhë, dhjetëra e qindra breza besimtarësh, para këtij dorëshkrimi janë lutur, kanë heshtur, kanë kërkuar ndjesë, kanë shprehur dëshira e aspirata, kanë projektuar të ardhmen, kanë derdhur lotë devocioni e pendese, kanë kërkuar përsosjen dhe kanë tentuar lartësimin. Një botë të tërë mban me vete! 

About Author

Leave a comment

Make sure you enter all the required information, indicated by an asterisk (*). HTML code is not allowed.