Premte, 03 Prill 2020 | Login
Albanian English Italian
Premte, 03 Prill 2020 | Login
Albanian English Italian
BREAKING NEWS
Një muze dashurie në Berat, dashuria e njeriut për njeriun!

Një muze dashurie në Berat, dashuria e njeriut për njeriun! Featured

Një muze dashurie në Berat, dashuria e njeriut për njeriun!

https://youtu.be/7zpMpzEverY

       Gazmen Toska jeton prej 30 vjetësh në Francë. Në Berat ka shtëpinë e prindërve dhe zemrën. Historia e tij është historia e një shqiptari që beson se Shqipëria bëhet duke e dashur, besuar dhe sidomos duke dhënë një dorë ta tregosh e zhvillosh. Gazmen Toska, jo vetëm ka sjellë një kulturë të re punësimi dhe prodhimi, por edhe solidariteti e përgjegjësie sociale, në Berat, në qytetin nga iku 16 vjeç, për të mos ikur kurrë./R.Xh
 

Në Berat, Muzeu i Dashurisë

Intervistoi Rudina Xhunga

Rudina Xhunga: Berati qyteti i një mbi një dritareve. I një mbi një bujtinave. I një mbi një historive të mrekullueshme. Nuk mund të mos kishim këtu shqiptarë të mrekullueshëm. Sepse ky është qyteti që shpëtoi hebrenjtë. Gazmen Toska vjen nga Franca, se është një francez nga Berati, dhe vjen dhe kujdeset për Muzeun Solomoni ose Muzeun e Simonit siç e njohin në Berat.

Gazmen Toska: Faleminderit ty Rudina, që zgjodhe qytetin e Beratit për këtë emision. Po jemi këtu në Muzeun e Solomonit që është krijuar nga një beratas. Simon Vusho, i cili përreth 20 vjet mblodhi dokumente të ndryshme në lidhje me një nga historitë më të bukura të Shqipërisë, por edhe në Evropë. Në fakt me sa jam informuar, Muzeu i Hebrenjve në Berat, që quhet Muzeu i Solomonit, nuk është i vetmi në Shqipëri, por i vetmi në Ballkan. Dhe kemi të bëjmë këtu me një faqe  jashtëzakonisht të bukur të historisë së shqiptarëve. Kur mësova që Simoni u nda nga jeta, dhe që vazhdimësia e muzeut ishte vënë në dyshim, u lidha me gruan e tij, Angjelinën, dhe vendosëm që muzeut ne t’i hapnim një faqe të dytë dhe një zhvillim ashtu siç e meritonte. Kjo historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, është unike për gjithë Evropën, për arsye pasi me mijëra hebrenj, gjetën strehë në vendin tonë, Shqipëri, që sapo kishte dalë prej 30 e ca vjetësh nga pushtimi otoman, që ndodhej ne një lloj kaosi pasi kishte qenë  Lufta e Parë Botërore, që nuk arrinte të gjente stabilitetin për zhvillimin e tij, dhe njerëz të thjeshtë, pjesa më e madhe të pashkolluar, bënë një akt që Evropa e zhvilluar nuk e bëri. Ata mbrojtën familje hebrenjsh, të cilët rrezikoheshin të çoheshin në kampet  e përqendrimit. Në qytetin e Beratit, numërohen mbi 600 hebrenj, që u mbrojtën nga këto familje të thjeshta.

Rudina Xhunga: Domethënë gjënë e mirë që kemi bërë nuk e kemi treguar në vite. E kemi quajtur të mirëqenë, normalitet. Kjo është një nga gjërat më të mrekullueshme që kanë bërë shqiptarët. Ky qytet ka shpëtuar 600 hebrenj. 

Gazmen Toska: Po është e vërtetë. Po ta shikojmë në kontekstin çfarë ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku 6 milionë hebrenj u vranë në kampet e përqendrimit dhe në mënyra të tjera, kur vetëm dy vende në Evropë i mbrojtën ata. Një ishte Danimarka, e dyta ishte Shqipëria. Duhet ta theksoj me një ndryshim të kontekstit të zhvillimit të vendit midis Danimarkës dhe Shqipërisë. Në ato vite Danimarka ishte një vend i zhvilluar, mbi të gjitha kishte një mbret të ndriçuar  i cili  u tha gjermanëve se më parë do të kaloni mbi mua para se të prekni të tjerët. Ndërsa në Shqipërinë e asaj kohe kishim vetëm njerëz të thjeshtë dhe fatkeqësisht të pazhvilluar. Veçantinë e këtij akti e shton edhe fakti që në Shqipëri hebrenjtë u mbrojtën nga të gjitha shtresat e popullsisë dhe nga të gjitha besimet fetare. Është një fakt që ne fatkeqësisht nuk e kemi shpjeguar mirë, por kur Gjermania i kërkoi shtetit shqiptar pasi e pushtoi që t’i grumbullonte hebrenjtë të tre fetë e Shqipërisë, feja myslimane, feja ortodokse dhe feja katolike i shkruan pushtuesve gjermanë në një mënyrë shumë të qartë që nuk është në traditën tonë që tjetrin neve t’jua lëshojmë. Për këtë ngjarje kaq të rrallë studiues të shumtë janë përpjekur ta kuptojnë. Në muajin nëntor unë pata rastin të shoh në dokumentarin e një vajze të re që e shpëtuan shqiptarët, ndërsa tani është grua e moshuar. Diskutimi që ishte aty me studiues ishte që si shpjegohet që shqiptarët ndryshonin nga të tjerët. Në fakt ka disa çelësa. Një çelës kryesor i shpjegimit është besa, apo kanuni. Po në Berat nuk kishte kanun, ai ishte më shumë në veri të Shqipërisë. Unë mendoj që kjo ka të bëjë me një bukuri të jashtëzakonshme që kemi ne në Shqipëri që është bashkëjetesa fetare. Këto familje u shpëtuan dhe u mbrojtën në mënyrë të njëjtë nga të gjitha shtresat e shoqërisë së asaj kohe dhe të gjitha fetë.

Rudina Xhunga: Ka dhe një gjë. Jo vetëm për ta shpjeguar se e kemi bërë ne, por edhe nuk e kemi treguar. Për shembull, ju përmendët historinë e një vajze që me siguri ajo e ka bërë vetë historinë e saj. Ky muzeu që është këtu është plot me histori. Si nuk pati kinematografia shqiptare një film për këto histori. Po të shikosh filmat janë të gjitha për danezët. Ne nuk kemi prodhuar asnjë gjë që mund t’ia jepnim botës nga historia e jonë e jashtëzakonshme e shpëtimit të hebrenjve. Nuk ka libra, nuk ka poezi, nuk ka tregime. Dhe po nuk u rrëfye, nuk ekziston. Dhe gjëja që mua më ka mrekulluar le të themi sepse unë kam qenë në Izrael dhe e di sesa rëndësi i japin ata faktit që i shpëtuan, që ky muze ekziston. Dhe ky muze nuk vdiq me të ndjerin Simon.

Gazmen Toska: Mëse e vërtetë. Prandaj dhe unë të falënderoj për herë të dytë për iniciativën e ardhjes këtu dhe tregimit të kësaj historie publikut shqiptarë. Kjo  histori tregon që ne kemi vlera të jashtëzakonshme si komb dhe përveç këtij akti të jashtëzakonshëm në një periudhë  shumë të vështirë për të gjithë Evropën, ku e përsëris asnjë popull i zhvilluar i asaj periudhe nuk e bëri një gjë të tillë, por bëri të kundërtën na lidh me realitetin e sotëm me figurë e Simonit. Jemi në Shqipërinë e këtyre viteve të demokracisë, me vështirësi shumë të mëdha me një rrëmujë të madhe dhe ja një mësues i letërsisë, i pasionuar nga letërsia shqiptare, nga vendi i tij, nga historia e qytetit të tij, punon. Siç e thashë 20 vjet për të mbledhur dokumente, dhe për të shpjeguar sesi u sollën shqiptarët e thjeshtë. Unë përfitoj nga ky muze për t’ju thënë një mësim tjetër që kemi ne dhe që lidhet me realitetin shqiptar është se Simoni ne na tregoi se mund të jesh i pasur pa pasur nevojë të kesh para. Është shumë e rëndësishme kjo për të rinjtë shqiptarë dhe shqiptarët në përgjithësi që vlerat e vërteta  t’i kuptojmë,  se nuk është vetëm aspekti material në këtë botë, por është edhe aspekti i të qenit njeri dhe vënies në dukje se çfarë kanë bërë të kaluarit tanë.

Rudina Xhunga: Ky kalldrëm është i vjetër. Këto shtëpi janë të vjetra. Por të gjitha tani janë kthyer në funksion të kësaj shtëpie të vogël që është Muzeu i Solomonit. I ka dhënë jetë, i ka dhënë identitet. Këtu mbushet me izraelitë, këtu mbushet me vizitorë nga e gjithë bota që duan të kuptojnë dhe të njohin muzeun e dashurisë. Se ky është një muze dashurie. Është muzeu i njeriut që shpëtoi njeriun. Pa interes. Pa kushte. Dhe aty brenda ka aq shumë histori sa mos të ndodhtë te jesh në Berat  dhe mos të vish ta vizitosh. Se do të habitesh dhe do të krenohesh që kemi pasur njerëz që kanë shpëtuar njerëz. 


Gazmen Toska: Objektivi ynë është që këtë muze ta bëjmë, jo vetëm muze për vizitorët e huaj, por gjithashtu dhe për  shqiptarët. Një nga problematikat tona të mëdha është se ne nuk dimë të evidentojmë realitetin e shqiptarëve që është më i bukur se ai perëndimor. Ne kalojmë kohën duke u marrë  me gjëra që ndonjëherë nuk janë reale. Gjithashtu objektivi i këtij muzeu është të bëhet dhe qendër kulturore dhe ne të organizojmë aktivitete që kanë të bëjnë me historinë dhe kulturën. Ne i kemi kërkuar institucioneve të Beratit që të gjithë  gjimnazistët, nga klasa e 9-të deri në klasën e 12-të  të kenë mundësi që njëherë të vizitojnë muzeun. Kemi shumë dëshirë që eksperiencën me Beratin ta zgjerojmë në të gjithë Shqipërinë, dhe të rinjtë shqiptarë të vijnë të vizitojnë këtë muze, sepse këtu kemi të bëjmë me memorien e kësaj mrekullie të shqiptarëve dhe gjithashtu me memorien ndaj urrejtjes. Jetojmë në një botë të komplikuar, në një botë me ndryshime shumë të mëdha dhe me kriza të mëdha. Në Evropë, po vërejmë rritjen e ekstremeve të djathta. Memoria dhe muzeu i Salomonit na bën që t’u kujtojmë të rinjve që këto monstruozitete që kanë ndodhur para 80 vjetësh mund të rivijnë prapë. Në botë këto janë përsëritur. Kemi pasur gjenocidin në Vietnam, për shkak të ideologjisë. Kemi pasur në mesin e viteve ‘90 në Kamboxhia janë vrarë rreth 2 milionë njerëz, 1 milionë vetëm në Ruanda, thjesht për arsye të etnisë. Kemi pasur krime të mëdha në Evropë që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, në shtëpinë tonë, në ish-Jugosllavi, në vitet ’90. Prandaj është e rëndësishme t’u kujtojmë të gjithëve se shembulli i dashurisë së shqiptarëve, të varfër atyre viteve, duhet mbajtur gjallë pasi rreziku që ne  të vijmë në urrejtje dhe të bëjmë krime monstruoze është një realitet. Pra ky muze shërben për ne shqiptarët, por gjithashtu është një dritë shumë e bukur për të gjithë Evropës për t’u kujtuar çfarë ka ndodhur ato vite dhe të entuziazmohemi, të jemi pozitivë dhe  ta rikujtojmë  që ka njerëz të thjeshtë me një dashuri të madhe./dritare.net

 
Read 722 times